A PO PËRSËRITET HISTORIA?

Shpërndaje

Nga Ruzhdi Matoshi

Në këtë dhjetor bëhen dy vite nga zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Shqiptarët ende mbesin me shpresën se do të bëhet mirë. Edhe sa do të zgjasin pritjet që populli shqiptar të heq shqetësimin se në shtetin e Maqedonisë nuk do të punohet me hile gjersa mendojnë se “do të bëhet mirë?” Si mund të bëhet mirë kur nuk kërkohet llogari për gjendjen me të cilën pajtohemi se është e palakmueshme? A erdhi kjo gjendje vetvetiu si ndonjë “ligj i natyrës”, apo e solli dikush me veprimet e tyre? Jo dikush, por shumëkush, duke përfshirë edhe një pjesë të shqiptarëve, e solli këtë gjendje. Të shohim shkurtimisht se si.
Pas rrënjës së komunizmit u formua lidhja socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), një parti që trashëgoj ish-komunistët, të cilët doktrinat politike të tyre i formuan me punë dhe vepra kundër shqiptarëve. Kujtojmë krijimin e Universitetit të Tetovës, deformimin e procesit zgjedhor përmes manipulimit me listat e votuesve dhe ngjarjet e Gostivarit, ngjarje të cilat LSDM e asaj kohe vepronte duke etabluar doktrinat e saj politike në njërën anë kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre, dhe promovimin e kursit politik të Sërbisë e cila me dhunë aspironte të dominonte Ballkanin në anën tjetër.
Në zgjedhjet e vitit 2016, LSDM mori 49 deputetë, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë përmes të cilëve thirreshin në atë se elektorati i kësaj partie është rritur për 60 deri 70 mijë votues shqiptarë. Nga kjo dolën edhe shqiptarë në ekzekutiv në emër të kësaj partie. Me të drejtë tani lind pyetja se a është kjo parti si e kohës që punonte kundër shqiptarëve, apo e ka harruar zanatin e vjetër vetëm duke u paketuar dhe modifikuar se është për gjithë qytetarët? Në dhjetor të këtij viti bëhen dy vite nga humbja e regjimit VMRO-BDI i cili shkoj në theqafje me 27 prill të 2017. Por nga ajo ditë e këndej, ende nuk kemi veprime konkrete ekonomike, investime infrastrukturore apo vizion i cili do të nderonte gjendjen për më mirë. Programet e LSDM-së të cilat po promovohen, vërehen se në përmbajtje kanë urrejtje, bolshevizëm, janë antishqiptare dhe se atyre iu qëndron prapa ende politika e vjetër e cila ishte e ngarkuar me antishqiptarizëm.

Propozimi i entit statistikor për regjistrimin e popullsisë është komplet antishqiptar dhe kamuflon realitetin etnik në Maqedoni. Ky propozim i ka rrënjët pikërisht tek ajo politika e vjetër e kësaj partie, pra nga laboratorët të cilët e deformuan realitetin elektoral që shqiptarët në Maqedoni nuk përfaqësohen aq sa janë realisht, dhe se kjo parti ishte e para që zbatoj deformimin e listave zgjedhore me votues fiktiv në të gjithë republikën.
Propozimi për skemën apo shtesën për fëmijën e tretë nga ministrja Carovska e kësaj partie po ashtu është antishqiptar, sepse kjo e paska kuptuar mirë e mirë, se nga kjo skemë më shumë para po merrkan shqiptarët! Propozimi i skemës sociale ku çdo qytetar i Maqedonisë i moshës mbi 65 vjeçare do të marrë nga 100 euro, e vendosin kushtin që, përfituesit e kësaj skeme së paku të kenë një ditë pune të lajmëruar me kontribute. Këtu lind pyetja: kush nuk e plotëson këtë kusht? Dhe përgjigja dihet; vetëm ne shqiptarët në Maqedoni, me mijëra nëna shqiptare dhe baballarë shqiptarë nuk e plotësojnë këtë kusht. Propozuesi edhe këtë e ka menduar mirë, dhe kjo përveç se është antishqiptare është edhe fashizoide, sepse me çdo kusht synon t’i ndajë qytetarët, e më konkretisht, t’i dëmtoj shqiptarët.

Çka bënë BDI në gjithë këtë bosht të politikave diskriminuese dhe haptas antishqiptare? Si çdo herë, kjo parti e luan lojën vetëm të spektatorit e jo të jetë mbrojtëse e shqiptarëve nga të cilët merr dhe mandat për t’u bërë pjesë e qeverisje së Maqedonisë. Po ua rikujtojmë se kur ishte në bashkëqeverisje me VMRO-në, përveç përtharjes ekonomike ku tek shqiptarët nuk u investua asgjë, u mundua të na e shes “Shkupin 2014” si i mirë edhe për shqiptarët, stemën e shtetit me Luan edhe si e shqiptarëve, u munduan ta përjashtojnë diasporën me ligjin për letërnjoftime, tekstet shkollore katastrofale, etj. Tani edhe me LSDM-në po vepron njëjtë. Ajo, pra BDI, nuk merr pjesë në propozime dhe nuk ka qëndrime të caktuara për problemet dhe propozimet që bënë LSDM. Ky qëndrim absurd i BDI-së i ka dy dy vlerësime të dënueshme. I pari, “bojkoti” ose heshtja ndaj propozimeve të LSDM-së, të cilat siç e kemi vërejtur deri më tani kanë qenë dhe mbesin antishqiptare, nënkupton edhe mbështetjen e atyre propozimeve nga BDI. E dyta, mungesa e qëndrimeve të caktuara, sidomos e kritikave kundër politikave antishqiptare, krijon bindjen se BDI është përgjegjëse për diskriminimin e hapur kundër shqiptarëve po aq sa VMRO dhe LSDM. BDI funksionon po thuaj se e ndarë në dy blloqe, ku njëri është pro VMRO-së, kurse tjetri pro LSDM-së. Vetëm lob pro shqiptar nuk ka në BDI.
Shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të jenë ende pa të drejtat elementare sociale dhe ekonomike. Ne nuk kemi përfaqësim të drejt dhe adekuat, nuk kemi ekonomi në rritje apo rimëkëmbje, e as sistem arsimor që lë për të dëshiruar. Ende kemi shqiptarë që janë të privuar nga e drejta për të mësuar në gjuhën shqipe, dhe për këtë më së miri flasin rastet e shkollave të mesme në Veles apo shkollat fillore në Çashkë. Ligji mbi përdorimin e gjuhës shqipe ka ngelur në labirintet burokratike të institucioneve të shtetit. Perspektiva ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës është thuajse zero, dhe kjo po rezulton me ikjen masive të të rinjëve shqiptarë nga Maqedonia.

Diskriminimet kundër shqiptarëve në Maqedoni nuk është e thënë të mbesin të njëjtja; ato evoluojnë dhe transformohen, ose siç thotë një fjalë popullore shqipe “ujku qimen e ndrron, por zanatin nuk e harron.” Kur u “del afati” disa diskriminimeve dhe fillohet të lëshohet pak pe dhe vazhdohet me diskriminime tjera në sferën politike, ekonomike dhe sociale kundër shqiptarëve. Fatkeqësisht, në këtë ujk që e ndrron qimen por jo edhe zanatin e diskriminimeve, marrin pjesë edhe një numër i madh shqiptarëve të grupuar në BDI thuajse me tërë partinë, herë duke u bërë pjesë e diskriminimeve përmes VMRO-së, e herë përmes LSDM-së. Kryesorja, zanati i tyre nuk harrohet. “Hajt se bëhet mirë” ose “vijnë gjërat n’ven t’vetin”, do të thoshit disa ose shumica prej jush. Jo, nuk bëhet mirë ose gjërat nuk bijnë në vend të vetin, derisa nuk kërkohet përgjegjësi për aktorët që e sollën këtë situatë, madje edhe ndëshkimin e tyre për gjendjen ku ata ishin lojtarë.
( autori është anëtar i kryesisë qendrore në Aleancën për Shqiptarët)

Loading...