Deklarata politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare, e vitit 1991

Shpërndaje

Çka duhet të dini për përpjekjet e partive politike shqiptare deri në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe përpjekjet për liri dhe barazi të popullit shqiptar në trojet e veta etnike, ose çlirimin dhe bashkimin e tyre në një shtet kombëtar në ILIRIK (Ballkan):

DEKLARATA POLITIKE PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE, E VITIT 1991

Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi parashihte tri opsione për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Ballkan: 1.Kosova – Republikë, e barbartë me republikat tjera të Federatës Jugosllave, 2. Të krijohej Republika Shqiptare në Jugosllavi, ose 3. Të bëhej bashkimi me Shqipërinë i të gjitha viseve shqiptare në Ballkan.

Më 28 gusht 1991, në Prishtinë u themelua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi. Në përbërje të këshillit ishin gjithsej 9 parti politike shqiptare: pesë parti të Kosovës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar) dhe katër parti të hapësirave tjera shqiptare në ish-Jugosllavi (Partia e Prosperitetit Demokratik, me seli në Tetovë, Partia Demokratike Popullore, me seli në Tetovë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia për Veprim Demokratik, me seli në Preshevë, Partia Demokratike Shqiptare, me seli në Preshevë. Kryetar i këshilli u zgjodh dr. Ibrahim Rugova.

Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Jugosllavisë i ishin bashkuar edhe dy parti politike të Kosovës (Partia Parlamentare e Kosovës dhe Partia Popullore Shqiptare).

Më 11 tetor 1991, ky këshill e miratoi Deklaratën politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe shqiptarëve në mbarë Ballkanin. Deklarata u nënshkruar nga kryetarët apo përfaqësuesit e 11 partive politike.

Deklarata parashihte tri opsione për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptarëve në ish-Jugosllavi: Kosova të bëhej Republikë, e barabartë me republikat tjera të Federatës Jugosllave, të krijohej Republika Shqiptare në Jugosllavi ose të bëhej bashkimi me Shqipërinë i të gjitha viseve shqiptare në Ballkan.

Këto opsione do të determinoheshin nga e ardhmja e Federatës Jugosllave: e para, nëse nuk do të ndryshonin kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Jugosllavisë; e dyta, nëse do të ndryshonin vetëm kufijtë e brendshëm; dhe, e treta, nëse do të ndryshonin kufijtë e jashtëm. Për këtë arsye, deklarata njihet edhe sot e kësaj dite si “deklarata e tri opsioneve”.

Deklarata politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi:

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:

DEKLARATË POLITIKE

A) Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;

B) Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave;

C) Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më 1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë për sovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin kirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;

D) Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpër procedurë policore.

E) Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.

Prishtinë, 11 tetor 1991

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi,
Dr. Ibrahim Rugova, kryetar

1. Lidhja Demokratike e Kosovës, Prishtinë
2. Partia e Prosperitetit Demokratik, Tetovë
3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Ulqin
4. Partia për Veprim Demokratik, Preshevë
5. Partia Fshatare e Kosovës, Prishtinë
6. Partia Shqiptare Demokristiane, Prishtinë
7. Partia Parlamentare e Kosovës, Prishtinë
8. Partia Socialdemokratike e Kosovës, Prishtinë
9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar, Prishtinë
10. Partia Demokratike Popullore, Tetovë
11. Partia Demokratike Shqiptare, Preshevë

(Të dhënat janë të huazuara nga arkivi i Qendrës për Informim të Kosovës – QIK)

Përgatiti: Abdulla Mehmeti

Tetovë, 23 janar 2019

 

Loading...