“Enciklopedia maqedonase” dhe akademia në shërbim të shovinizmit sllav ndaj shqiptarëve

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Kush duhet ta mbrojë identitetin, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në Maqedoni? Kush duhet ta shkruaj Historinë e Popullit Shqiptar në Maqedoni, e cila lidhet me historinë e krahinës (regjionit gjeografik me këtë emër, më vonë të shtetit) së Maqedonisë nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme, por që është e pandarë nga Histori e Popullit Shqiptar, e cila ka edhe çështje të përbashkëta me popujt tjerë fqinj, pika afrimi e bashkëpunimi, por në esencë është histori tepër e veçantë dhe me karakter kombëtar?!

* * *
E ashtuquajtura „Enciklopedia maqedonese“, e botuar në Shkup, më 2009, përkundër falsifikimeve ordinere të historisë dhe qasjes së saj tepër shoviniste e armiqësore ndaj shqiptarëve, nuk është tërhequr asnjëherë nga qarkullimi dhe përdorimi, edhe përkundër reagimeve të ashpra nga opinioni, qarqet intelektuale dhe pjesa dërmuese e studiuesve shqiptarë.

Sipas Marrëveshjes për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë (2017) dhe Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit të shtetit (2018), me të cilat palët kanë marrë obligime ta rishqyrtojnë dhe ndryshojnë historinë, qasjen ndaj ngjarjeve, personaliteve dhe të kaluarës së lashtë dhe të re, identitetit, kulturës dhe gjuhës së popullit sllav të Maqedonisë, me këtë edhe t’i ndryshojnë tekstet shkollore dhe literaturën shkencore që i trajton këto çështje. Me këtë, institucionet shkencore dhe arsimore detyrohen të shkruajnë dhe përdorin histori të re të Maqedonisë dhe të pjesës së popullit sllav të saj.

Me këtë, Marrëveshja me Greqinë e përjashton popullsinë sllave të Maqedonisë Veriore nga çfarëdo lidhje të saj me periudhën antike dhe të kaluarën e lashtë, deri në shek. VII të erës së re; ndërsa Marrëveshja me Bullgarinë e përjashton popullsinë sllave të Maqedonisë nga historia e veçantë e saj, si të ndarë nga popujt tjerë sllavë të rajonit, sidomos nga bullgarët, nga shek. VII deri në vitin 1944, kur është krijuar entiteti i veçantë me emrin Republika (popullore, federative, socialiste) e Maqedonisë në kuadër të ish Federatës Jugosllave.

Kush duhet ta mbrojë indentitetin, kulturën, gjuhën dhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve dhe kush e si duhet ta shkruaj Historinë e popullit shqiptar në Maqedoni? Sigurisht që kjo çështje nuk duhet t’i lihet në dorë qeverisë, politikës dhe organeve të pushtetit, të cilat janë fajtore për të gjitha armiqësitë dhe dëmet e shkaktuara ndaj shqiptarëve deri më sot!

(29.XI.2018)

* * *
Enciklopedia maqedonase, në dy vëllime, është enciklopedia e parë (jo)shkencore për Maqedoninë, e redaktuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve. Enciklopedia është përgatitur një periudhë të gjatë në Qendrën Leksikografike, ku kanë qenë të përfshirë 260 bashkëpunëtorë për përgatitjen e saj, nën udhëheqjen e redaktorit kryesor, akademik Bllazhe Ristovski. Enciklopedia është shtypur në 2.000 kopje, me mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Afër 300 copë nga ky tirazh janë shitur ose janë dhuruar, ndërsa pjesa tjetër prej 1.700 kopje, është tërhequr nga shitja. Në fillim, kjo enciklopedi fshehtas ka qarkulluar në formë elektronike përmes Internetit, kurse më vonë ka mundur të zbritet lirisht nga çdo person i interesaur. Enciklopedia ka afërо 9.000 zëra (njësi).

Nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve ka qenë e planikfikuar „Enciklopedia maqedonase“ të përgatitete dhe publikohet edhe në formë të zgjeruar, ku do të përfshihej gjithçka që nuk ka qenë e përfshirë në këto dy vëllime të publikuara, apo është lëshur për shkaqe të ndryshme, dhe pastaj kjo enciklopedi do të përkthehej në gjuhën angleze.

* * *
AKADEMIA ANTISHQIPTARE E MAQEDONISË

“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata i kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si njerëz malokë primitivë…”.
(Enciklopedia e re maqedonase, e përgatitur dhe botuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, Shkup, 2009)

Përkulja, gjunjëzimi, poshtërimi, nënshtrimi dhe pranimi i vasalitetit të shqiptarëve ndaj shovinizmit proserb në Maqedoninë e sotme nuk mbështetet vetëm nga strukturat udhëheqëse të subjekteve politike të shqiptarëve, por edhe nga disa intelektualë, profesorë, shkrimtarë dhe shkencëtarë shqiptarë, sipas traditës së vasalitetit dhe mercenarizmit të trashëguar nga pushtimi serb pas vitit 1913, regjimi komunist jugosllav pas vitit 1945, i zbatuar edhe pas pavarësimit të këtij shteti më 1991 e deri në ditët e sotme.

Akademia Maqedonase (jo e Maqedonisë) e Shkencave dhe Arteve, nëse nuk u kërkon falje publike shqiptarëve, në rrugë zyrtare, për falsifikimin ordiner të historisë dhe ofendimet ndaj popullit shqiptar, të autoktonisë, identitetit, historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, sidomos përmes Enciklopedisë me përmbajtje tepër shoviniste dhe armiqësore ndaj tyre, ky institucion duhet të paditet në gjukatën ndërkombëtare për krime, si nxitëse dhe frymëzuese e krimeve të gjenocidit ndaj shqiptarëve, të mos njihet për institucion që i përfaqëson interesat edhe të shqiptarëve (e cila financohet edhe me paratë e tyre), ndërsa anëtarët shqiptarë në këtë pseudo Akademi, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë shkencorë të jashtëm, nëse nuk distancohen publikisht nga politikat e saj (jo përmes deklaratave dhe reagimeve të çastit), dhe nuk japin dorëheqje të parevokushme, të shpallen publikisht si individë që nuk i përfaqësojnë interesat e popullin shqiptar në këtë shtet.

(25.VI.2017)

Loading...