Erion Veliaj: Do të isha krenar t’i lija tim biri një qytet për të cilin ai të krenohet

Shpërndaje

Kjo është intervista e parë e Erion Veliajt, pas rikandidimit për kryetar Bashkie të Tiranës.

Fjorda Llukmani: Si e mbani mend Tiranën e fëmijërisë tuaj?

Erion Veliaj: Të zhurmshme e të rrëmujshme, por gjithmonë miqësore. Të vegjël ne duhet të bëheshim kreativë për të shpikur lojëra për shkak të mundësive të pakta ekonomike e për shkak të terreneve të papërshtatshme për të luajtur. Atëherë nuk kishim lojërat që fëmijët kanë sot, por shpiknim çdo ditë aktivitete për të qëndruar sa më shumë jashtë. Nuk kishim këndet e lojërave që kemi sot, por luanim majë tarracave të garazheve. Larg qoftë mos të binte topi në ndonjë bahçe të zaptuar të komshiut, se bëhej pronë private dhe e nuk e shihje më. Fëmijët e sotëm nuk i njohin situata të tilla. Por shoqëria sot është në fakt më individualiste. Mbaj mend kur ishim të vegjël shtëpia jonë ishte gjithmonë e hapur për këdo, ishte dhe e kushërinjve, që vinin nga qytete të tjera ndonjëherë dhe pa lajmëruar, ishte e hapur edhe për fqinjët. Mbaj mend karriget që i kishim të gjithë njësoj dhe sa herë kishte ndonjë rast familja fqinjë, merrnim gjithmonë karriget e njëri-tjetrit, e për t’i dalluar gjithnjë kishin emrin e familjes të shkruar poshtë. Kështu e mbaj mend Tiranën, gjithnjë pozitive, pavarësisht vështirësive, mikpritëse e të hapur ndaj kujtdo, e veçanërisht të hapur ndaj ndryshimit.

Fjorda Llukmani: Cili ka qenë vendimi i parë që morët si kryetar bashkie?

Erion Veliaj: Nga zyra e dritares sime shihet Kulla e Sahatit të Tiranës, një monument kulture që shërben si pikë referimi për kohën për qytetarët e Tiranës, prej pothuaj 180 vjetësh. Ditën e parë që erdha në zyrë pashë së Sahati i Tiranës kishte mbetur, nuk funksiononte. Prandaj vendimi i parë që mora ishte rregullimi i orës së Kullës së Sahatit, sepse Tiranës nuk mund t’i mbeste sahati prapa. Mundësitë që qyteti ofronte ishin aq të shumta sa nuk mjaftonin as 24 orë në ditë për t’i përmbushur, nuk mund të rrinim në vend numëro.

Fjorda Llukmani: Kur e nisni punën në mëngjes?

Erion Veliaj: “Një ndër çelësat drejt suksesit është të drekosh atëherë kur të tjerët hanë mëngjesin,” thotë një fjalë e urtë. Unë në fakt e nis ditën shumë herët në mëngjes, rreth orës 6 gjendem në zyrë për të programuar ditën e për të punuar me shkresat apo emailet, në mënyrë që pjesën tjetër të ditës të jem në terren për të parë nga afër punimet që zhvillohen ne qytet, apo për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme.

Fjorda Llukmani: Cilat do të ishin 3 fjalë që do t’i thoshe për Tiranën një të huaji pa zbritur nga bordi i avionit?

Erion Veliaj: Eat. See. Love, duke ndryshuar pak titullin e librit të famshëm Eat. Pray. Love. Tirana është një vend ku kulinaria po zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme dhe ka kaq shume restorante, ku mund të konsumohet ushqim tejet cilësor, përgatitur nga kuzhinierë të cilët kanë punuar në disa nga restorantet më të mira në botë dhe janë kthyer për të investuar në biznesin e tyre, në vendin e tyre.

Me të vërtetë vendi ynë nuk ka ndërtesa madhështore dhe ne nuk pretendojmë të krahasohemi me qytete si Roma, Vjena, Parisi etj., por kemi një ndërthurje unike të godinave që janë simbole të fazave të ndryshme nëpërmjet të cilave ka kaluar historia. Tirana ka një ndërthurje të godinave të punuara nga arkitektët më të mirë italianë të fashizmit, godinat tipike komuniste dhe po ashtu ndërtesat kaotike të postkomunizmit. Të gjitha këto të ndërthurura ndërtojnë karakterin unik të Tiranës, të hapur ndaj ndryshimit, rebele por njëkohësisht të tërhequr ndaj artit e të bukurës. Klima fantastike dhe ditët me diell sjellin pozitivitet e humor të mirë për këdo, kështu që nuk ka se si të mos biesh në dashuri me Tiranën. Të gjithë largohen nga Tirana me idenë se do të kthehen sërish, për të parë të surprizuar se si mund të ketë ndryshuar kësaj radhe qyteti e çfarë të reje do të ofrojë.

Fjorda Llukmani: Sheshi ‘Skënderbej’ është nominuar për të fituar çmimin e BE-së për arkitekturën bashkëkohore. Çfarë e bën këtë shesh më të veçantë nga finalistet e tjera?

Erion Veliaj: Një vit e gjysmë më parë sheshi “Skënderbej”, vendi simbol i shqiptarëve, përfundoi punimet duke shfaqur një pamje krejtësisht të re. Ky shesh, në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse.

Ai përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.  Dikur një shesh me gropa ku mbizotëronin automjetet, sot ofron rreth 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarë, të gjitha në funksion të qytetarëve, të aktiviteteve artistike, kulturore, panaireve, koncerteve apo thjesht shëtitjeve e xhirove në orët e pasdites, në freskinë e pemëve. Sheshi ka rreth 11 lulishte, ku janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Është i pajisur gjithashtu me rreth 100 shatërvanë të cilat përveç aspektit estetik shtojnë freskinë gjatë periudhës së nxehtë. Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në aspektin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Transformimi i këtij sheshi i ka dhënë qendrës së Tiranës një pamje dinjitoze duke u shndërruar atë në mënyrë simbolike në qendrën e të gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht në kartolinën më të bukur evropiane.

Fjorda Llukmani: Çfarë pikash turistike i sugjeroni një të huaji që vjen për herë të parë të vizitojë kryeqytetin?

Erion Veliaj: Tirana ofron diçka për të gjithë, qoftë për turistin që dëshiron të zbulojë historinë e qytetit duke vizituar Bunkart 1 në Dajt apo Bunkart 2 në qendër. Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’ (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve. I hapur më 23 Maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Muzeu Historik Kombëtar, Galeria e Arteve të pozicionuara në qendër, ndodhen shumë pranë njëra tjetrës dhe mund të aksesohen lehtësisht duke ecur. E ndërkohë nuk mund të humbasin sheshin ‘Skënderbej’, Kalanë e Toptanëve apo Pazarin e Ri, të cilat janë rikonstruktuar këto tri vjetët e fundit dhe janë ndër hapësirat më energjike dhe të populluara në qytet. Parku Kombëtar i Liqenit dhe Parku Kombëtar i Dajtit ofrojnë mundësinë e largimit nga zhurma e qytetit dhe ofrojnë vazhdimisht aktivitete për të gjitha moshat. Hiking, tracking, motorbiking në rrethina, kalaja e Petrelës rrethuar me pemët mijëra vjeçare të ullirit, syri i Ciklopit. Tirana është një qytet për t’u zbuluar.

Fjorda Llukmani: Po ushqimet me të shijshme tironse që duhet të provojë?

Erion Veliaj: Kush nuk e ka provuar fërgesën e famshme tironse, nuk mund të thotë se ka qenë në Tiranë.

Fjorda Llukmani: Për dashamirësit e natyrës, ku i sugjeron që të shkojnë me patjetër gjatë vizitës së tyre?

Erion Veliaj: Te Parku Kombëtar i Liqenit ku sapo janë përfunduar pistat e reja të vrapit, të biçikletave, moli ku qëndrojnë varkat dhe kanoet apo këndi i madh i lojërave për fëmijë. Po ashtu patjetër sugjeroj Parkun Kombëtar të Dajtit, ku mund të shkohet për rreth 20 minuta me teleferik për të shijuar pamjen fantastike të Tiranës dhe ajrin e pastër. Peza, Petrela, Farka, Shëngjergji ofrojnë po ashtu qetësi, gjelbërim e relaks pak minuta larg qendrës.

Fjorda Llukmani: I pëlqejnë lalit sportet? Dilni për vrap nga liqeni ose me biçikletë?

Erion Veliaj: Prej dy vjetësh marr pjesë në Maratonën e Tiranës dhe më është dashur të përgatitem fizikisht duke vrapuar pothuajse çdo ditë në Parkun e Liqenit të Tiranës. Më vjen mirë të shoh se si numri i vrapuesve ka ardhur duke u rritur gjithnjë e më shumë, çka tregon se qytetarët e Tiranës po i kushtojnë rëndësi aktivitetit fizik e shëndetit. Po ashtu kam marrë pjesë shpesh herë dhe në garat me biçikletë në rrethinat e Tiranës, një eksperiencë shumë interesante dhe tejet argëtuese.

Fjorda Llukmani: Ku ia mbath nëpër Tiranë, kur ke nevojë të pushosh?

Erion Veliaj: Në Parkun e Liqenit. Më pëlqen të shoh sesi ka ndryshuar parku e si ka ndryshuar njëkohësisht me të dhe humori i qytetit. Është gjithmonë plot të rinj e të reja të cilët vrapojnë, organizojnë festa e piknikë, mblidhen dhe lexojnë, këndojnë.

Është plot e përplot gjyshër, familjarë e fëmijë. Më përcjellin të gjithë energji kaq pozitive. Shkoj me djalin e Ajolën për të bërë një shëtitje në ajër të pastër, ose dal për vrap mëngjeseve. Mund të them se pothuajse çdo ditë e vizitoj atë park.

Fjorda Llukmani: Ju del koha për të shijuar jetën e natës? Nëse po, çfarë aktivitetesh ndiqni?

Erion Veliaj: Ne jetë duhet të gjesh kohë për çdo gjë, e për më tepër Tirana është një qytet që jeton edhe natën, me po të njëjtin intensitet ashtu si dhe ditën. Unë nuk mund të them që jam frekuentues i rregullt i jetës së natës, por herë pas here më pëlqen të jetoj dhe këtë aspekt të jetës në qytet. Por është e sigurt se pas daljeve, bëj dhe një inspektim të fundit, para se të shkoj në shtëpi për të parë situatën me pastrimin e qytetit, ndriçimin e rrugëve apo problematika të tjera që mund të bien në sy.

Fjorda Llukmani: Si një çun Tirone, cilat janë karakteristikat tipike të një tironsi?

Erion Veliaj: Zemra e madhe dhe mikpritja! Tirana është një qytet popullsia e së cilës këto vitet e fundit është rritur nga 250 mijë banorë në rreth 1 milionë banorë, të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe e quajnë Tiranën shtëpinë e tyre. Të gjithë kemi ditur të mbështesim njëri-tjetrin, të kuptojmë ndryshimet në mentalitet dhe të marrim më të mirën prej njëri-tjetrit për të krijuar një shoqëri që në thelb ka respektin dhe mirëkuptimin.

Fjorda Llukmani: Më energjik kur ishe pa Kajanin, apo ju le pa gjumë dhe gjatë ditës ju bie ritmi?

Erion Veliaj: Mund të them me bindje të plotë se me Kajanin më është rritur dhe më shumë dëshira të punoj fort për të ndërtuar një qytet më miqësor ndaj fëmijëve dhe që ofron shumë më shumë mundësi për ta e familjet e tyre. Unë dhe stafi që drejtoj jemi të fokusuar veçanërisht te fëmijët dhe nuk punojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme. Do të isha krenar t’i lija tim biri një qytet për të cilin ai krenohet dhe kjo ide është motori që më vë në punë çdo ditë, pa u lodhur.

Fjorda Llukmani: Roli që ka bashkëshortja në atë që jeni sot.

Erion Veliaj: Ajola është mbështetja ime kryesore, ka qenë gjithmonë. Tashmë të dy po përjetojmë ndjenjën më të bukur në botë, atë të prindërimit dhe Ajola është një nënë e shkëlqyer për Kajanin dhe një shtyllë e fortë në familjen tonë. Në sajë të mbështetjes dhe mirëkuptimit të saj ia kemi arritur t’ia dalim mbanë e më të fortë çdo sfide.

Fjorda Llukmani: Nëse nuk do të ishit kryetar i Bashkisë i Tiranës, çfarë profesioni do të kishte Erioni sot?

Erion Veliaj: Mendoj do të më pëlqente të isha profesor, në mënyrë që të kisha mundësi të isha në komunikim e kontakt të vazhdueshëm me njerëz, ide e ndryshim, duke dhënë kontributin tim për krijimin e një shoqërie më të mirë.

Fjorda Llukmani: Cilat janë komplimentet më interesante që keni marrë për ndryshimet që keni bërë për qytetin?

Erion Veliaj: Komplimentet më të bukura dhe më interesante i bëjnë gjithmonë fëmijët. Unë i takoj çdo ditë në zyrën time për të ndarë së bashku idetë dhe opinionet për qytetin, si e shohin dhe si e ëndërrojnë ata dhe gjatë këtyre vizitave dëgjoj opinionet më origjinale që të rriturve vështirë se do t’u shkonin ndër mend.

Por ajo që gjithmonë më inspiron më shumë është dëshira e tyre për t’u bërë kryetar bashkie që ta bëjnë qytetin të “bukur” siç po e bëjmë ne. Ky është komplimenti më i sinqertë që më jep gjithmonë energji të eci përpara.

Fjorda Llukmani: Cili është mendimi i parë i mëngjesit? I mbrëmjes cili është i fundit?

Erion Veliaj: Mëngjesi fillon gjithmonë me takimet me stafin dhe motivimin për të dhënë maksimumin për qytetin dhe në këtë ditë të re. Dita është impenjative e me angazhime dhe vetëm në darkë, pasi shkoj në shtëpi tek Ajola e Kajani mund të marr më në fund frymë e teksa shoh tim bir mendoj, a bëra më të mirën sot për të?

Fjorda Llukmani: Çfarë nuk keni bërë mirë në Tiranen tuaj? Keni ndonjë pendim?

Erion Veliaj: Pavarësisht se çdo ditë nisesh me idenë e dëshirën për të dhënë maksimumin e për të bërë më të mirën, jo çdo gjë shkon vaj. Patjetër që ka gjera që do të kisha dashur t’i bëja më mirë, por mendoj se gjithmonë kemi bërë më të mirën në ato situata ku jemi gjendur apo në ato kushte e rrethana specifike.

Fjorda Llukmani: Si e parashikoni ju Tiranën pas 10 vjetësh?

Erion Veliaj: Shpresoj shumë të hapur e mikpritëse si gjithmonë, veçanërisht ndaj ndryshimit. Mendoj se ky është tipari që e ka karakterizuar gjithmonë Tiranën dhe ka bërë që nën drejtimin e frymën e duhur, qyteti dhe qytetarët ta përqafojnë menjëherë ndryshimin.

Fjorda Llukmani: Jemi në prag të zgjedhjeve, përse duhet të votojnë qytetarët për ju?

Erion Veliaj: Nëse ndajnë të njëjtin vizion me ne për qytetin, nëse duan të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, në një qytet më miqësor e që ofron më shumë mundësi. Tirana është një qytet në rritje të vazhdueshme, është mundësi për çdo të ri e të re që jeton në vend, prandaj është përgjegjësi shumë e madhe të punosh me vizion për të ndërtuar të ardhmen e të rinjve në kryeqendrën e vendit, jo vetëm gjeografikisht. /dritare.net

Loading...