Grupi i Kumanovës futet në grevë urie, Val Zekaj: Prej nesër fillojmë përleshje me policinë!

Shpërndaje

Të pakënaqur nga trajtimi dhe nga kushtet në burgun e Shutkës, një pjesë e Grupit të Kumanovës prej të dielën janë futur në grevë urie. Val Zekaj, njëri nga pjesëtarët e Grupit në deklaratën tij dërguar në Gazetën Lajm, ka numëruar shkaqet kryesore për fillimin e grevës.
“Shkaku kryesor është që tani një vit nuk është përfillur kërkesa jonë për transferim nga burgu i Shutkës në atë të Idrizovës. Kjo është padrejtësi. Sulmuesit e Zijadin Selës nuk kanë bë as dy muaj që janë dënuar dhe është pranuar kërkesa e tyre që të transferohen në pjesën e hapur të burgut, kurse neve na refuzohet kjo kërkesë. Ata janë të dënuar për terrorizëm, ne për terrorizëm. Pse bëhet ky selektim”, ka pyetur Zekaj.
Për shkak të motit të ftohtë dhe kushteve të këqija, gjendja shëndetësore e një pjese të grevistëve ka filluar të përkeqësohet në mënyrë të shpejtë, kurse për momentin në gjendje më të rëndë është Shefqet Hallaçi. Edhe përkundër kësaj, ata nuk kanë ndërmend ta ndërpresin grevën.

“Nuk e ndërpresim grevën deri sa nuk plotësohen kërkesat tona. Prej nesër madje do ta radikalizojmë, e nëse ka nevojë edhe do të fillojmë përleshje me gardianët e policinë e burgut. Jemi duke jetuar në kushte jonjerëzore. Higjiena është në nivelin më të ulët. Nuk ka ngrohje edhe pse temperaturat kanë rënë nën zero. Ushqimi nuk plotëson asnjë standard. Edhe ushqimin që na e sjellin familjarët e kthejnë mbrapa. Nuk e kuptoj çfarë burgu është ky, as nuk ka ushqim të na japë, as nuk lejon familjarët të na sjellin”, është shprehur Zekaj.

Për momentin edhe 9 pjesëtarë të Grupit të Kumanovës gjenden në burgun e Shutkës. Val Zekaj për Gazetën Lajm ka dhënë versionin se pse po refuzohet kërkesa e tyre.
“Në gusht është pranuar kërkesa jonë për transferim në Idrizovë, por me intervenim të Sinishës dhe Memetit është refuzuar. Kanë frikë nga bashkimi jonë në një burg, sepse në këtë mënyrë do të zbulohet zanafilla e tradhtisë së Kumanovës”, thekson Zekaj.

Ai akuzon edhe shtetin kosovar, që nuk po interesohet për fatin e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës.

“Ende vazhdojnë maltretimet fizike ndaj nesh. Por shteti jonë është i dobët, sepse në rastin e Pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës ka munduar ta padisë Maqedoninë para gjykatave ndërkombëtare dhe ta fitojë rastin”, ka theksuar Zeka në deklaratën dërguan në Gazetën Lajm, duke shtuar se tani 44 muaj mbahet në izolim dhe askush nuk jep përgjegjësi për këtë keqtrajtim.

Loading...