KUR VËLLAI T’I FARKON PRANGAT E ROBËRISË

Shpërndaje

(Për vizitën e pakohë dhe misionin e paqartë të kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në Shkup)

Nga, Abdulla Mehmeti

Në kthesat historike kur vuloset fati dhe e ardhmja e tyre, shqiptarët në Maqedoni më së paku kanë nevojë për emisarë, avokatë ndihmës të pushtetit vendës nga zyrtarë të lartë të Tiranës!

Miq të nderuar (ju drejtohem kështu sepse me asgjë nuk reflektoni si vëllezër), nëse nuk keni fuqi, vullnet dhe vizion si duhet t’u ndihmoni shqiptarëve në Maqedoni që t’i realizojnë të drejtat e tyre kombëtare të ligjshme, siç ju obligon edhe kushtetuta e shtetit që e përfaqësoni, së paku duhet të heshtni dhe mos ta bëni avokatin e pushtetit të vendit tuaj fqinj, siç e kanë bërë shpeshherë edhe paraardhësit tuaj për interesat e të gjithë pushteteve të derisotëm në Maqedoni, edhe kur ata kanë qenë jodemokratikë, diktatorialë, tepër të padrejtë dhe armiqësorë ndaj shqiptarëve vendës.

Nëse nuk mund ta thoni drejtë, hapur dhe qartë, se vëllezërit tuaj shqiptarë në Maqedoni janë popull autokton, janë shumicë në trojet e veta etnike; se gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare me emrin e saj të natyrshëm, jo gjuhë të cilën e flasin 20% e qytetarëve; që këto çështje identitare të shqiptarëve në këtë shtet duhet të përfshihen në ndryshimet e reja kushtetuese, jo të trajtohen siç janë trajtuar padrejtësisht deri më sot, apo sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, e cila është imponuar në rrethana të jashtëzakonshme lufte dhe me koncept të ndryshuar (kontrabanduar) më vonë, si dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, jo të gjuhës shqipe, në mbrotje të së cilave erdhi kësaj radhe për vizitë në Shkup edhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, siç erdhi pak ditë para tij edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, për ta bërë me duar simbolin e shqiponjës me sivëllezërit e tij të bizneseve private, gjatë festës së Alfabetit në qytetin e Manastirit të zbrazur nga shqiptarët, si dhe në Çair të Shkupit, ku qytetarët shqiptarë vendës nuk kanë të drejtë ligjore as ta përdorin lirisht flamurin shqiptar, edhe nëse do ta kishin këtë të drejtë siç e kanë vëllezërit e tyre në këtë shtet, ku shqiptarët përbëjnë mbi 50% të popullsisë, flamuri shiptar është i zvogëluar dhe përçudnuar për 1/3 e madhësisë së tij të natyrshme.

Që t’i keni më të qarta këto çështje, në parlamentin e shtetit që përfaqësoni ju, provojeni të miratoni çfarëdo ligji me të cilin ndonjë minoritet të vendit do ta cilësoni si PËRQINDJE (jo më një popull autokton që përbën mbi 40% të popullsisë së vendit siç janë shqiptarët në Maqedoni) dhe do ta shihni çfarë tërmeti do të ngrihej kundër tij në vendet fqinje dhe nga faktori ndërkombëtar, deri te Këshilli i Sigurimit i OKB!

Loading...