STATUSI, STATUSI, STATUSI…

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Statusi shtetfomues i mohohet popullit shqiptar në Maqedoni edhe me ndryshimet kushtetuese aktuale! A do ta lejojnë shqiptarët këtë turp, të mbeten qiraxhinj në shtëpinë e tyre?

Sa herë duhet ta themi, ta përsëritim dhe ripërsëritim se, me statusin shtetformues të popullit shqiptar nuk humb askush; përkundrazi, përfitojnë edhe qytetarët tjerë të këtij vendi, popujt fqinj me të cilët shqiptarët e ndajnë fatin në shtetin e tyre të përbashkët, me këtë fiton demokracia dhe sigurohet e ardhmja evropiane e Maqedonisë.

Me këtë politikë shoviniste, e cila shqiptarëve ua mohohon autoktoninë, traditën shtetformuese, historinë, kulturën, gjuhën dhe gjithçka që lidhet me identitetin kombëtar; popullit shqiptar në këtë shtet u mohohet e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja e tij në Maqedoni.

Shumica e politikanëve shqiptarë në skenën politike aktuale në Maqedoni janë si mjeshtrit e paditur: mendojnë dhe përpiqen për vendosjen e dyerve dhe dritareve, ndërkohë që nuk e kanë ndërtuar ende shtëpinë ku do t’i vendosin ato.

Mos u kapni vetëm për çështjen e gjuhës, sepse ajo është njësi e kombit, përderisa statusi i kombit u mohohet shqiptarëve në Maqedoni, me Kushtetutë.

Përderisa shqiptarët do të trajtohen si pakicë kombëtare, dhe më keq se kaq, si përqindje (20%), asnjë e drejtë nuk u garantohet, as gjuha, as flamuri, as historia, as arsimimi në gjuhën amtare, as deklarimi i përkatësisë kombëtare në dokumentet personale, as këtyre që jetojnë brenda shtetit, aq më pak atyre që janë në mërgim…Gjithçka do të varet nga vullneti politik momental i pushtetit, në korniza të të drejtave ndërkombëtare të garantuara për PAKICAT. Me të drejtën ndërkombëtare, popujve u garantohet e drejta e vetëvendosjes, jo përcaktimi i fatit të tyre nga të tjerët!

Asnjë kompromis nuk duhet të bëjë pushteti aktual ndaj shqiptarëve, as politikanët shqiptarë kanë nevojë të bëjnë pazare për këtë çështje: popullit shqiptar në Maqedoni është autokton në trojet e veta etnike në Maqedoni, është popull shumicë në këto territore në vazhdimësi historike dhe gjeografike, prandaj, së paku duhet t’i rikthehet statusi i popullit shtetformues, të cilin e ka pasur para gati gjysmë shekulli me kushtetutën e po këtij shteti, të vitit 1974, të cilin ia kanë degraduar më vonë pushtetet shoviniste dhe jodemokratike në Maqedoninë e pavarur, me fajin edhe të politikanëve shqiptarë të paditur e të shitur, nga viti 1991 e deri më sot.

Me halabakë nuk ndërtohet kalaja, as me politikanë injorantë nuk mbrohet kombi dhe nuk ndërtohet shteti!

(4 janar 2019)

Loading...